Hasan Dakaj

Hasan Dakaj ende në Serbi, familja e zhgënjyer me shtetin

Në fillim të janarit, u ndalua në pikën kufitare në Merdare.

Që nga atëherë, ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj po mbahet në paraburgim nga shteti serb, i cili po e akuzon Dakaj për krime lufte.

E nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thonë se janë angazhuar maksimalisht për gjendjen e Dakajt.

“Ambasadori Jashari e ka vizituar z. Dakaj, më 9 janar 2024, në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës Speciale për Krime të Luftës së Beogradit, ku është duke u mbajtur. Nga komunikimi më i fundit i Ambasadorit Jashari me avokatin mbrojtës (i caktuar nga Gjykata sipas detyrës zyrtare) dhe me familjarët e z. Dakaj, është konfirmuar se më 3 shkurt 2024 Gjykata ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për 30 ditë. Sipas avokatit mbrojtës, atij i është lejuar pranimi i dy pakove ushqimore (në masë prej 10 kilogramësh secila) të dërguara nga familja, si dhe komunikimi me telefon me familjarët. Avokati mbrojtës po ashtu ka theksuar se është duke i ndjekur procedurat e nevojshme ligjore për mundësimin e vizitës z. Dakaj nga familjarët e tij, që besohet se do të realizohet gjatë javës së ardhme”, thuhet në përgjigje.

Madje potencohet se për arrestimin e kundërligjshëm të Dakajt, autoritetet shtetërore kanë njoftuar edhe faktorin ndërkombëtarë.

“Zyra Ndërlidhëse i ka njoftuar në vazhdimësi misionet diplomatike të akredituara në Serbi, përshirë Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi lidhur me rastet në fjalë, duke kërkuar që ato të ndikojnë tek Qeveria e Serbisë për të ndërmarrë masat e nevojshme për lirimin e tyre dhe kthimin në Republikën e Kosovës, duke potencuar faktin se këto gjykime janë krejtësisht të fabrikuara dhe të motivuara politikisht dhe nuk kanë të bëjnë asgjë me zbatimin e drejtësisë”.

Por, i zhgënjyer me përkujdesjen e shtetit është avokati i familjes, Xhevdet Smakiqi.

Ai thotë se gjendja shëndetësore e Dakajt është e rënduar, dhe se familjarët ende nuk e kanë parë atë.

Dakaj nga Prokuroria serbe pretendohet se ka kryer krime lufte si 19-vjeçar në vitin 1999.

Ndërkohë, një rast i njëjtë sikurse ky i Dakajt pati ndodhur më 3 janar 2020, ku ishte arrestuar Nezir Mehmetaj ndaj të cilit ende ёshtë duke u zhvilluar proces gjyqësor nga Gjykata e Lartё pёr Krime tё Luftës e Beogradit.

VIDEO BONUS: Promovohet në gjuhën shqipe libri për Hashim Thaçin, i shkruar nga dy gazetarë britanikë