Harris mbështet thirrjet për hetim për krime lufte ndaj Rusisë

Nënpresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris mbështeti sot thirrjet për një hetim ndërkombëtar për krime lufte ndaj Rusisë lidhur me agresionin e saj në Ukrainë dhe bombardimin e civilëve.

Gjatë një vizite në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, zonja Harris dënoi ato që ajo i cilësoi si “mizori të përmasave të paimagjinueshme”.

Vizita e saj në Varshavë ka për qëllim shprehjen e mbështetjes amerikane për aleatët e krahut lindor të NATO’s.

Zonja Harris shprehu indinjatën për bombardimin e maternitetit të Mariupolit të mërkurën dhe skenat e evakuimit të grave shtatzëna të gjakosura.

“Absolutisht që duhet të ketë një hetim”, tha Harris.

“Është e qartë për ne që Rusia po kryen krime lufte në Ukrainë”, tha presidenti polak Andrzej Duda duke folur përkrah nënpresidentes amerikane.