Haraqija: Po habitem me Isa Mustafën se si po e duron Vetëvendosjen deri në këtë nivel

Ish-ministri i Kulturës nga radhët e LDK-së, Astrit Haraqija ka thënë se ndjehet i habitur nga sjellja e LDK-së në raport me Vetëvendosjen.

Haraqija në RTV Dukagjini ka thënë se LDK-ja ka qenë mjaft e durueshme në raport me Vetëvendosjen.

“Jam çuditur në shumë raste se si zoti Mustafa ka duruar Vetëvendosjen deri në këtë nivel. Vjosa Osmani ka deklaruar se i kanë lutur të presin edhe një javë para se ta zgjidhnin kryetarin e Kuvendit, por ata nuk kanë pasur guxim që të presin edhe një javë”.

Ai ka thënë se Vetëvendosje me 29 deputetë asnjë siguri nuk mund t’i jep LDK-së se do ta zgjedhin presidentin.

“Për zgjedhjen e presidentit duhen edhe vota nga subjekte të tjera”.

Ish-Ministri i Kulturës nga radhët e LDK-së thotë se Albin Kurti nuk ka guxim e as siguri për të drejtuar qeverinë.

“Zoti Kurti nuk është i interesuar për të qeverisur dhe ai në çdo moment është munduar të ia hedh topin LDK-së”, tha Haraqija.