Haradinaj: Ushtria e Kosovës s’ka kufizime për të shkuar në veri

Duke folur për Ushtrinë e Kosovës, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se s’ka asnjë kufizim për të shkuar në ndonjë pjesë të caktuar të vendit, duke iu referuar veriut të Kosovës.

Sipas tij, Ushtria e Kosovës ka mandat për të shkuar kudo në vend që i kërkohet. Megjithatë, ai ka thënë se ushtria nuk shkon në veri vetëm për të shitur mend.

“Nuk ka asnjë kufizim ushtria jonë për të shkuar në çdo pjesë të atdheut të vet. Ligjet janë votuar të tilla, vendimi është i tillë dhe parlamenti ia ka dhënë mandatin. Por, nuk e çojmë na ushtrinë në veri vetëm që t’u shesim mend disa serbëve lokalë, me ju tregu që kemi ushtri. Ne po kemi kujdes, ka serbë të Kosovës që po bëhen ushtarë. Nuk është qëllimi ynë t’i poshtërojmë ose të ju tregojmë serbëve të Kosovës, shtetasve të Kosovës, fuqinë tonë. Ushtria është bërë për t’u mbrojtur nga sulmet e jashtme, por edhe të brendshme nëse ka”, ka deklaruar Haradinaj, duke shtuar se për rendin dhe ligjin, edhe në veri, kujdeset Policia e Kosovës.