Kryeministri

Haradinaj u bën thirrje bashkëluftëtarëve që të mos frikësohen nga Specialja

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, me rastin e shënimit të Ditës së Veteranit, u ka bërë thirrje bashkëluftëtarëve të tij që të mos u frikësohen Gjykatës Speciale sepse sipas tij, ata nuk janë frikësuar as gjatë luftës me forcat serbe.

Ai ka thënë se vrasjet e pasluftës nuk janë kryer nga ushtarët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës, mirëpo nga dora e Serbisë.

“Në traditën tonë ne nuk jemi ndalur e ta vajtojmë njëri tjetrin por i kemi ndihmuar atij që ka prirë në rrugën drejt lirisë”.

“Ne jemi krenarë që na ka prirë një familje legjendare siç është familja Jashari. Sot jemi mbledhur këtu të kujtojmë 30 vjetorin e sulmit ndaj familjes Jashari”.

“Nuk ka dilemë se më meritorët për këtë liri janë luftëtarët, por jo vetëm. Meritorë janë të gjithë ata që i kanë përkrahur përpjekjet tona për liri”.

“Ju shprehi nderimet më të mëdha ushtrive tona mike siç janë ato të Amerikës, Anglisë, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe ushtrive tjera”.

Haradinaj ka thënë nuk janë sfidat që vijnë përballë ato që dëmtojnë. Sipas tij, sfidat që dëmtojnë janë ato që vijnë anash apo pas shpine.

“Sfidat nuk na dobësojnë. Ato na lodhin e na dëmtojnë kur vijnë anash ose pas shpine. Ndërsa ato sfida që na vijnë përballë janë të lehta për ne”.

“Ne do të përballemi me Gjykatën Speciale, mos u frikësoni bashkëluftëtarë sepse ne nuk i jemi frikësuar plumbave dhe topave të Serbisë”.

“Askush prej nesh nuk keni nevojë të fshiheni apo të mendoni se jeni të vetëm. Unë asnjëherë nuk jam ndier vetëm. Prandaj edhe nëse ftohet ndonjëri nga ju, mos mendoni se jeni të vetëm”.

“Vrasjet e pasluftës nuk janë vrasje të ushtarëve të UÇK-së. Nuk ka ushtarë të lirisë që e vret bashkatdhetarin e vet pas shpine. Këtë e ka bërë dora e Serbisë”.

“Nuk vjen e keqja kurrë prej shqiptarit. E keqja vjen prej armiqve tanë ndër shekuj. Ata do të vazhdojnë të punojnë në mënyrë që ne mos të jemi të qetë”.

“Punët që i kemi kryer këtë vit dhe punët që do t’i kryejmë gjatë vitit tjetër do t’i bëjmë në mënyrë që të përcjellim mesazhe pozitive tek aleatët tanë siç janë Shtetet e Bashkuara”.

“Mos ua ktheni shpinën miqve dhe aleatëve dhe mos kërkoni aleatë të tjerë sepse ne vetëm një aleat e kemi. Tjetër aleatë nuk kemi”.