Kryeministri

Haradinaj tregon se çfarë bisedoi me sekretarin e NATO-s për ushtrinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka konfirmuar bisedën telefonike me Stoltenberg. Haradinaj ka thënë se e ka informuar Sekretarin Stoltenberg për miratimin e Ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes, mandatimin ushtarak të FSK-së dhe shërbimin në FSK.

Poashtu, kryeministri e ka garantuar atë për transparencën e procesit të tranzicionit të FSK-së, duke shprehur vizionin tim dhe të Qeverisë për thellimin e partneritetit me NATO-n.

“Sot, kam zhvilluar një bisedë miqësore telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, z. Jens Stoltenberg, dhe jam i kënaqur me përkushtimin e NATO-s për të mbështetur Kosovën në tërësi.

Me kënaqësi e informova Sekretarin Stoltenberg për miratimin e Ligjeve për Ministrinë e Mbrojtjes, mandatimin ushtarak të FSK-së dhe shërbimin në FSK.

Po ashtu, e informova për veprimin konkret të Qeverisë së Kosovës në themelimin e Komitetit Ndër-Ministror për Integrimet dhe Anëtarësimin në NATO, si një zhvillim konkret për afrimin e Kosovës me NATO-n.

E garantova Sekretarin Stoltenberg për transparencën e procesit të tranzicionit të FSK-së, duke shprehur vizionin tim dhe të Qeverisë për thellimin e partneritetit me NATO-n, KFOR-in, NALT-in, Programin e Ndërveprimit të Zgjeruar dhe për gatishmërinë e trupave të FSK-së për kontribut në sigurinë rajonale dhe globale.

Kosova do të punojë ngusht me NATO-n për të përmbushur kapacitetet e plota operacionale të FSK-së në mandatin ushtarak, si dhe për angazhimin e përbashkët në ofrimin e sigurisë dhe mbrojtjes” thuhet në njoftimin e Haradinajt.