Haradinaj thotë se Qeveria e ka gati projektligjin që ndalon lojërat e fatit

Kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, e ka marrë shumë seriozisht Rezolutën e miratuar sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, përmes të cilës kërkohet që Qeveria që të nis procedurat për pezullimin e të gjithë llojeve të lojërave të fatit.

Kur nuk kanë kaluar as më shumë se dy orë, Haradinaj ka njoftuar se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, do të shfuqizohet ligji ekzistues për lojërat e fatit.

“Për Mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, Zyra e Kryeministrit ka përgatitur ligjin, i cili do të shfuqizojë ligjin ekzistues dhe do të ndalojë lojërat e fatit”, ka shkruar Haradinaj.

Rezoluta që u miratua sot në Kuvend ishte iniciuar nga opozita. Kërkesa për mbylljen e lojërave të fatit ka ardhur pas dy rasteve të vrasjeve brenda objekteve të lojërave të fatit, në Suharekë dhe së fundi në Lipjan.

Rezoluta e opozitës ka kaluar sot me 74 vota pro, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim.

Pikat e kësaj rezolute janë:

Qeveria të nis procedurat ligjore për pezullimin e aktivitetit të të gjitha llojet lojërave të fatit, deri në plotësim ndryshimin e ligjit.

Brenda 30 ditëve Qeveria të sjell në Kuvend, ligjin e ri që ndalon aktivitetin e të gjitha llojeve të lojërave të fatit në një periudhë prej 10 viteve.