Haradinaj thotë se nuk e ka pasur të lehtë ta kthejë në rrugë të duhur dialogun me Serbinë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, njëherësh edhe kryeministër i vendit, ka folur për proceset politike nacionale teksa ka takuar strukturat e partisë së tij në Viti. Ai tha se si kryeministër ka arrit që ta orientojë procesin e dialogut me Serbinë në rrugë të duhur.

“Kur e kam marr detyrën Kosova e kishte dorëzuar vendimmarrjen e vet tek të huajt, krejt temat kryesore tonat të këtij vendi për me vendos, por ishin parapa që me u vendos në tavolinë, dialog. Ne si shtet sovran i kishim çuar këto vendime në tavolinë te Mogherini, Vuçiqi, në këtë rast edhe presidenti ynë. Pra Qeveria ka hequr vendimet prej asaj tavoline dhe ka sjellë në Prishtinë për t’i marrë Qeveria. Kjo ka qenë pak e vështirë me i ndërru do rene, mos me thënë me i idhnu dikon, por fatmirësisht e kemi bërë pa dëme të mëdha, siç thotë populli pa therë në këmbë”, tha Haradinaj.

Po ashtu ai tha se në mandatin e tij si kryeministër është arritur të bëhet Ushtria e Kosovës.

Haradinaj ndër të tjera përmendi edhe idenë e korrigjimit të kufijve, që sipas tij, kjo është në dëm të Kosovës.

“U folke shumë mundësia me luajt me megja e me territore, por ju e dini gjatë historisë, se sa herë është luajt me megja në dëm tonin ka ndodh. Pra, ishte me rëndësi vendimin e parë me marrë, e ai ishte ushtria. Kur e themeluam ushtrinë, e kemi hartën e Kosovës dhe jemi shtet me këtë hartë”, tha ai.

Ndërsa, për liberalizimin e vizave, kryeministri pret që kjo të ndodhë brenda këtij viti, edhe pse ngriti si shqetësim largimin e të rinjve nga Kosova.

Banorëve të Vitisë iu premtoi se në Gërlicë do të ndodhë kyçja në autostradën rrugore. Kryeministri përmendi edhe të arriturat në sektorin e ekonomisë, me disa ligje të krijuara për të bërë biznes.

Ndërsa, kryetari i degës së AAK në Viti Faruk Nura, tha se sot degës së AAK-së në këtë komunë, i shtohen 200 anëtar të rinj në Viti.

“Para juve kryeministër, jemi të përgatitur që të bashkohen anëtarët e rinj me emër e mbiemër. Nuk ka asgjë më reale dhe më konkrete se në këtë tubim, sepse kjo është puna e juaj që na e keni dëshmuar dhe na e keni vërtetuar. Jeni kryeministri i parë i Republikës së Kosovës që e themeloni ushtrinë e Kosovës dhe jeni kryeministër i parë që i thoni Serbisë jo dhe unë vendosi këtu”, tha Nura.