Haradinaj thotë se koncepti i Vetëvendosjes është komunist

Kandidati për kryeministër nga koalicioni AAK-PSD, Ramush Haradinaj, thotë se Kosova ka punuar pak për t’i “rehatuar” punët e saj, derisa sipas tij, gjithmonë iu është bërë qejfi të tjerëve.

Kështu u shpreh ai gjatë takimit me qytetarët e Ratkocit të Rahovecit, ku para tyre ai ka premtuar se do të hiqet akciza e naftës, madje shtoi se do të kthehet sistemi për mbrojtjen nga reshjet. Krahas kësaj, ai ka premtuar edhe rritjen e pagës minimale.

Haradinaj edhe një herë ka përsëritur se taksa nuk duhet të hiqet derisa foli edhe për programin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Pse po e suspendon për 120 ditë? Nuk bën me na qeveris miqtë, miku-mik, shtëpia-shtëpi. Askush nuk duhet të vendosë për ne. Nuk duhet ne me heq taksën deri në njohje, nëse mundemi me mbrojt deri në njohje është mirë. Politika ekonomike e Vetëvendosjes është si dikur në kohën komuniste. Koncepti i VV-së është komunist dhe fukarallëk “, tha Haradinaj.

Ai nuk la pa përmendur edhe kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselin, ku tha se nuk ka nevojë për kreativitet, për t’i dhënë diçka Serbisë.

Ai tutje ka ironizuar me deklaratat e këtij të fundit në njërin nga debatet televizive.

“Nuk kam mund me përcjell gjatë Kadri Veselin mbrëmë, por me ma dhënë dynjanë, nuk mbërrita me kuptu, ku po dëshiron me lëshu gurin. I ra rrotull e rrotull, e nuk dinte ku me lëshu. Shumë thjeshtë është kjo punë, nuk kemi pse me u mundu me u bo kreativ çka me i jep Serbisë më. Se po thonë gjejeni një mënyrë e bëhuni kreativ qysh me e kënaq Serbinë, a jeni në veti”, tha Haradinaj.

Ndërkaq kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka kërkuar nga qytetarët që ashtu siç ia kanë besuar udhëheqjen e komunës, t’i besohet Ramush Haradinajt udhëheqja e shtetit për katër vjet mandat.

loading…