Haradinaj thërret mediat: Mbështesim dialogun, por me këto tre parime

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka folur për qëndrimin e Aleancës lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Haradinaj, ka thënë se AAK e mbështete delegacionin e Kosovës për takimin në Uashington më 27 qershor. Por, Haradinaj ka nënvizuar se dialogu duhet t’i respektojë të paktën tri parime.

“Sot ju kam ftuar të flasë për çështjen e dialogut. AAK vlerëson se Kosova ka definim të qartë për këtë proces. Por duhet t’i përmbahemi edhe parimi të integritetit territorial të Kosovës, parimit për karakterin unitar të pushtetit në Kosovë si dhe parimit për respektimin e kushtetutshmërisë”, tha Haradinaj.

“Këto janë tri parime me të cilat ne si Aleancë përkrahim delegacionin e Kosovës në dialog”, shtoi ai. Haradinaj theksoi se këtë format të dialogut e përkah edhe Kryeministri Avdullah Hoti.

Ai ka thënë se gatishmëria e qeverisë për themelimin e këshillit të ekspertëve për dialogun si dhe udhëheqja e dialogut nga SHBA janë garanca shtesë në proces.

“Ne mbajmë shpresë që të zhbllokohet nyja e këtij procesi dy dekadësh. Aleanca mbështetë delegacionin e Kosovës për takimin në Uashington”, tha Haradinaj para mediave.