Haradinaj: Thaçi e Rama më kanë bërë presion për heqjen e taksës në Samitin e Berlinit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përgjatë një interviste ka folur rreth zhvillimeve në Samitin e Berlinit.

Në një intervistë për televizionin T7, të marten Haradinaj ka shpalosur detaje të asaj çfarë ka ndodhur brenda dyerve të mbyllura të zyrave të Kancelares Gjermane Angela Merkel, kur është folur për Kosovën e Serbinë në prani të liderëve të rajonit.

Haradinaj është shfaqur i bindur se Samiti e ka ndaluar temën e ndryshimit të kufijve dhe se këto takime, përfundimisht e kanë ndryshuar formatin e bisedimeve në Bruksel, duke thënë se tani dy fuqitë europiane, Gjermania dhe Franca, e kanë këtë punë në dorë.

Ndër të tjerash, kryeministri ka përmendur edhe kërkesën e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe Kancelares Gjermane, Angela Merkel, për suspendimin e taksës.

Haradinaj ka deklaruar se ajo çfarë i kishte penguar më shumë, ka qenë presioni i presidentit Thaçi dhe Rama për heqjen e taksës.

“Ne është dashur të jemi unik në takime, por mbrëmë isha në një pozitë jo të mirë, kur ata që duhet të të mbështesin, të ‘mshojnë’. Propozimi i Macron dhe Merkel ka qenë suspendimi i taksës sa për të relaksuar situatën momentale, ndërsa Thaçi e Rama ishin ata që më bënin më shumë presion se të tjerët për heqjen e taksës”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj tregoi edhe detaje të tjera të takimeve, duke treguar gjithashtu se nuk ka pasur takime me krerët serb, përveçse në tavolinat e përbashkëta. /Ballkani.info