Haradinaj: Taksa 100 për qind ndaj Serbisë nuk do të hiqet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se taksa 100 për qind e vendosur për mallrat serbe nuk do të largohet, pavarësisht presionit që i është bërë në Samitin e Berlinit nga kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macronn.

Në mbledhjen e Këshillit Drejtues të AAK-së, ai tha se në Samitin e Berlinit nuk ka pranuar që të suspendohet taksa.

“Deri tani nuk kam pranuar që të suspendohet taksa, për shkak se Serbia neve që 20-vjet po na shkakton dëme, nuk paguan rrymë në veri, ne kemi humbur miliona për shkak të Serbisë. Nuk kemi më nevojë të humbin për shkak të Serbisë”, tha Haradinaj.

Haradinaj potencoi se mbajtja e taksës do t’i kushtojë Serbisë.Gjithashtu ai tha së deri tani Kosova ka kaluar dy rreziqe.

“Ne do të vazhdojmë kështu si jemi, do ta mbajmë taksën. Kemi kaluar dy rreziqe, kemi rikthyer sovranitetin e Kosovës dhe kemi përmbyllur çështjen e Trepçës”, tha ai.

Haradinaj para Këshillit Drejtues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se ka konfirmuar pjesëmarrjen në Samitin e Parisit, ai theksoi se kancelarja gjermane, Angela Merkel së bashku me presidentin francez, Emmanuel Macroon tashmë do të merren me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Dhe se që të liderët janë të përkushtuar që të arrihet paqe në Ballkanin Perëndimor.