Haradinaj takon Vasfije Krasniqi-Goodman: Rrëfimi i saj, pasqyra më reale e përjetimeve tragjike të popullit tonë

Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim, Vasfije Krasniqi Goodman, e cila bëri hapin e madh për të treguar historinë e saj se si ishte dhunuar në moshën 16 vjeçare nga serbët në Kosovë.

Haradinaj me këtë rast ka deklaruar se Vasfija mposhti heshtjen dhe u kryengrit kundër aktit më çnjerëzor, duke u bërë model i shoqërisë sonë për të guxuar.

Kryeministri Haradinaj ka përgëzuar atë për guximin e përmasave heroike duke shtuar se të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës e kanë tërë mbështetjen dhe nuk duhet të ndihen të vetme në këtë betejë për drejtësi.

Postimi i plotë:

Vasfije Krasniqi, mposhti heshtjen dhe u kryengrit kundër aktit më çnjerëzor, duke u bërë model i shoqërisë sonë për të guxuar. Ajo i dha zë të vërtetës dhe forcë të gjitha viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës për të dëshmuar. Rrëfimi i saj, si pasqyra më reale e përjetimeve tragjike të popullit tonë, është shtysë e fuqishme për ngadhënjimin e drejtësisë dhe që ta njoh bota të vërtetën e Kosovës. Mëngjesin e sotëm, këtë grua të jashtëzakonshme, e përgëzova për guximin e përmasave heroike. Të gjitha viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës e kanë tërë mbështetjen tonë dhe asnjëherë nuk duhet të ndihen të vetme në këtë betejë për drejtësi.