Haradinaj: Sylejman Selimi nuk i detyrohet asgjë drejtësisë

Ramush Haradinaj ka komentuar çështjen e emërimit të ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi, në postin e këshilltarit politik.

Reagimi erdhi pasi dy organizata rinore, YIHR Kosova dhe YIHR Serbia, përmes një komunikate për media, kërkuar që emërimi i tij të anulohet duke thënë se “kriminelët e luftës nuk kanë vend në Qeveri”.

“Sylejman Selimi nuk i detyrohet drejtësisë asgjë, dhe është shumë i respektuar nga të gjithë. Nuk është dikush që ikën nga drejtësia”, tha Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë.

Ai nuk ka lënë pa folur as sot për çështjen e taksës, me ç’rast ka theksuar se qeveria tashmë ka bërë të ditura arsyet e vendosjes së taksës.

“I kemi treguar argumentet për taksën. Është e papranueshme të kushtëzohet dialogu, dialogu duhet të kthehet, nuk humb vetëm Kosova pa dialog, por edhe rajoni. Taksa do të mbetet deri në njohje, besoj për këtë nuk keni dilema më. Serbia po bën shantazh të pastër. Thotë se nuk vjen në dialog pa e hequr taksën. Nuk kthehemi në dialog me shantazhe, ato nuk janë as kushte, po shantazhe, Serbia po bën shantazhe”, tha Haradinaj.

Sa i përket çështjes së kufijve dhe dallimeve me partnerët në koalicion, Haradinaj ka thënë se të gjithë bashkohen rreth “shijes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë”.

“Kemi dallim, por të gjithëve na preokupon shija e marrëveshjes. Se kur vendoset një marrëveshje finale obligative ligjore, atë shije do ta kemi gjithë jetën. E nëse do të jetë e hidhur, do të jetojmë me të. E kemi problemin e përbashkët se çfarë shije do të ketë marrëveshja. Për këtë jam i pakompromis qoftë në koalicion apo opozitë. Nuk dua të kem shije të keqe në vend. Kushdo qoftë që e prish këtë shije, le të shkojë ku të dojë, por unë e di rrugën time. S’i bashkohem askujt që e çon Kosovën kah ndarja. E kam bë të qartë. S’jam me të, apo me ta. Të brendshëm apo jashtëm. Kush e çon vendin kah ndarja, le ta merr përgjegjësinë, por s’jam me ta. Kudo që janë le ta dinë të gjithë”, ka thënë ai teksa ka shtuar se nuk do të “lejojnë mini-Rusi në Kosovë”.

“Nuk do të ketë Republikë të Dodikut në Kosovë. S’do të bëhet një mini Rusi këtu. Asociacionin që e ka parapa marrëveshja e Brukselit, por të cilin e ka kornizuar Kushtetuesja, e respektojmë. Mund të bazohen në një asociacion sipas Kushtetutës sonë”.

Haradinaj ka përsëritur se akoma s’ka zgjedhur kush do të jetë ministër i ri i Bujqësisë, pas shkarkimit të Nenad Rikalos.