Haradinaj: Surroi e Shllaku me iniciativë për të mbështetur dialogun final
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim publicistin Veton Surroi si dhe drejtorin ekzekutiv të Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, Luan Shllaku.
Me këtë rast, Haradinaj me Surroin e Shllakun, kanë biseduar për procesin e dialogut Kosovë – Serbi si dhe nevojën për unifikimin e të gjithë spektrit politik dhe të shoqërisë civile, në këtë fazë të zhvillimeve shumë të rëndësishme për vendin.
Kryeministri theksoi se faktori politik duhet të ndërtojë konsensusin e brendshëm që të ndërtohet një platformë e cila e definon pozicionin e qartë të Kosovës.
Ai ka folur edhe për taksën ndaj Serbisë, duke thënë se “vendimi ishte përgjigje e politikës agresive dhe jo të drejt ndaj shtetit të Kosovës dhe si e tillë do të mbetet në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia”.
Kryeministri Haradinaj e ka mirëpritur iniciativën e dy njohësve të rrethanave politike në vend dhe rajon, për të mbështetur procesin e dialogut final, si interes strategjik i Kosovës, për të cilin është e domosdoshme gjithëpërfshirja.