Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka marrë konfirmimin e Çekisë për përmbylljen me sukses të procesit të liberalizimit të vizave.

Haradinaj-Stublla, në një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Çekisë, Tomáš Petříček theksoi se Kosova është mirënjohëse për mbështetjen e Çekisë për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës si dhe përkrahjen në procesin e integrimit Euro-Atlantik.

“Ministri më konfirmoi mbështetjen strategjike të Çekisë në përmbylljen e suksesshme të procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Njëkohësisht i rikonfirmova qëndrimin e Qeverisë së Kosovës që finalja e dialogut Kosovë-Serbi konsiston me njohje reciproke në kufijtë e 17 shkurtit”, tha Haradinaj-Stublla përmes një postimi në Facebook.