Haradinaj-Stublla takon kryediplomatin gjerman: Berlini mbetet kryeqyteti ynë evropian

Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla ka takuar homologun gjerman, Heiko Maas.

Kryediplomatja kosovare ka thënë se Berlini mbetet kryeqyteti ynë kryesor Evropian dhe shtet aleat për Kosovën dhe popullin e saj.

“Marrëdhënia e fortë mes Kosovës dhe Gjermanisë është ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë, demokracisë, dhe paqes së qëndrueshme.
Në vizitën time të parë zyrtare në Berlin, takova Ministrin Federal të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Z. Heiko Maas. Berlini mbetet kryeqyteti ynë kryesor Evropian dhe shtet aleat për Kosovën dhe popullin e saj.
I shpreha Ministrit Maas mirënjohjen e thellë për ndihmën e Qeverisë gjermane dhënë Kosovës gjatë pandemisë, dhe përkrahjen palëkundur për vendosjen në agjendë të Liberalizimit të Vizave gjatë Presidencës Gjermane të Këshillit të BE.
Diskutuam mbi gjendjen e shkëlqyeshme të marrëdhënieve tona dypalëshe dhe u dakorduam për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët politik e ekonomik, poashtu edhe në përfundimin e njohjes së patent-shoferëve.
Ministri Maas shprehu vendosmërinë që roli i Gjermanisë në dialogun Kosovë – Serbi të vazhdojë të jetë aktiv dhe mbështetës në arritjen e marrëveshjes gjithpërfshirëse ligjërisht të obligueshme mes Kosovës dhe Serbisë.
Nënvizova nevojën urgjente të definimit të dialogut në 3 elemente kyçe: kohëzgjatjen, parimet, dhe objektivën finale e cila domosdoshëm duhet të rezultojë me njohje reciproke” thuhet në njoftimin e takimit.