Haradinaj-Stublla: MPJD e përkrah Hotin për të dialoguar për arritjen e njohjes reciproke me Serbinë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se e përkrah kryeministrin Avdullah Hoti për të dialoguar për arritjen e njohjes reciproke me Serbinë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Stublla thekson se në dialog duhet respektuar dy parimet e panegociueshme: integritetin territorial dhe rendin kushtetues.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, NUK ka asnjë marrëveshje as zotim ndaj Serbisë, dhe aq më pak për të hequr dorë nga avancimi e forcimi i subjektivitetit të saj ndërkombëtar!”.

“MPJD e përkrah Kryeministrin Hoti dhe ekipin gjithëpërfshirës të Republikës së Kosovës, për të dialoguar për arritjen e njohjes reciproke me Serbinë duke respektuar dy parimet e panegociueshme: integritetin territorial dhe rendin kushtetues”.

“Çdo përpjekje për devijim nga këto dy parime do të dështojë, siç edhe kanë dështuar në të kaluarën”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në rrjetin social Facebook.