Haradinaj shpalos rritjen e AAK-së në bastionin e PDK-së: Ne jemi të sinqertë dhe të vërtetë

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në rrjetin social Facebook, ka vizituar degën e partisë së tij në Drenas, ku ka theksuar se vlerë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës është sinqeriteti me veten dhe partnerët.

“Në takim me Këshillin Drejtues dhe strukturat e AAK-së në Drenas, theksova se Aleanca vlera të përhershme i ka sinqeritetin dhe të vërtetën”, shkroi Haradinaj duke shtuar se “Korrupsionin do ta mundim duke qenë të sinqertë me veten dhe partnerët tanë”.

Ai ndër tjera ka shtuar se për shkak të sinqeritetit të treguar, u arrit krijimi i Ushtrisë dhe u ndalua ndarja e Kosovës.

“Duke qenë të sinqertë me aleatët tanë dhe si rezultat i kësaj marrëdhënie, ata na besuan krijimin e Ushtrisë, na përkrahen në moscopëtimin e Kosovës dhe që ta ruajmë sovranitetin e shtetit” shkroi ai.

Ai ndër tjera shtoi se sinqeriteti ndikoi në vendosjen e ligjit në veri të vendit dhe aktivizimin e gjigandit metalurgjik “Trepça”.

“Vetëm pse ishim të vërtetë dhe të hapur mbështetën vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit nga policia jonë. Na përkrahen në përmbylljen e Trepçës në tërësi si resurs qind për qind Kosovë, njëkohësisht edhe në zbatimin e vendimeve tjera të mëdha për konsolidimin e brendshëm të shtetit. Kosova 100% shtet është e denjë të tregojë se nuk do të pranojë kushtëzime dhe se tregu i saj është për ata që e njohin dhe e respektojnë” tha kreu i AAK’së.

loading…