Haradinaj shpalos dokumente, kufiri Kosovë-Serbi 381 kilometra

Kryeministri Ramush Haradinaj në konferencën për media ka paraqitur disa harta dhe dokumente që sipas tij tregojnë vijën kufitare prej 381 kilometrash mes Kosovës dhe Serbisë.

“Janë 381 kilometra kufi – është kufi administrativ i ish-Jugosllavisë dikur, mes Kosovës dhe Serbisë. Me Kushtetutën e ish-Jugosllavisë, kufijtë nuk kanë mundur të ndryshojnë njëanshëm”.

“Me shpalljen e Kosovës së pavarur dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare, këta janë kufijtë Kosovë-Serbi. Janë të shënuar dhe janë të gjitha koordinatat në gjithë zonën”.

“Ne kemi një kufi Kosovë-Serbi, janë kufi të pranuar dhe respektuar nga Serbia sepse patrullohen në të dy anët”.

Haradinaj ka thënë se ai së shpejti do t’i publikojë hartat dhe dokumentet që ka prezantuar sot dhe do t’i shpalosë të gjitha detajet.

Shefi i Qeverisë ka thënë se me Kushtetutën e vendit, Kosova nuk ka pretendime territoriale.

“Nuk e kërkojmë njohjen duke dhënë territor. Nëse çmimi për njohje është të japim territor, nuk kemi nevojë për njohje. Mund të presim ende dhe mundemi edhe pa marrëveshje”.