Haradinaj: Sakrifica e dëshmorëve, udhërrëfyes për faktorizimin e shqiptarëve në rajon

Me rastin e Ditës së Dëshmorëve të Kombit, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka vazhduar me homazhe në nderim të heroizmit dhe sakrificës së të rënëve për lirinë e Atdheut.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se obligim i përbashkët është nderimi dhe kujtimi për përpjekjeve tona historike për liri.

“Me rastin e 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Kombit Shqiptar, vazhduam me homazhe në Deçan, ku me respekt nderuam luftëtarët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, e gjithashtu nderuam të gjithë të rënët për liri dhe dinjitet kombëtar në të gjitha trevat tona, në periudha të ndryshme historike. Është obligim yni i përbashkët të kujtojmë e nderojmë veprën, guximin e sakrificën e përpjekjeve tona historike për liri”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë se heroizmi dhe sakrifica e dëshmorëve të kombit do të jetë udhërrëfyes në rrugën e faktorizimit të shqiptarëve në rajon.

“Heroizmi dhe sakrifica e Dëshmorëve të Kombit, do të jetë përherë udhërrëfyes në rrugën tonë të shtetndërtimit dhe të bërjes së faktorit shqiptar në rajon – faktor i vërtetë i paqes, stabilitetit dhe zhvillimit”, ka përfunduar Haradinaj.