Në Berlin

Haradinaj rrëfen bisedën me presidentin Macron: Nuk është i Gllogjanit ai me bërtitë qysh po thoni!

Kryeministri Ramush Haradinaj ka rrëfyer për herë të parë disa nga bisedat që ka pasur në Samitin e Berlinit.

Haradinaj në RTV Dukagjini, ka thënë se gjatë disa bisedave me Mogherinin ai personalisht është treguar i ashpër.

“Mogherini më tha: ‘Zotni jam habitur dhe i kam thënë Kosovës shtet’. I thashë: ‘I mirë i keq, unë jam kryeministri i atij shteti, dhe mos gabo të flasësh përsëri kështu’”, tha ai.

Kryeministri ka treguar edhe për bisedat që ka pasur me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

“Për Macronin, për të cilin kam respekt dhe kam folur frëngjisht me të, kur më ka thirr të shkojmë në Paris kam pasur disa mendime t’i them. Kam kërkuar që në Paris të vijnë Veseli dhe kryetarët e delegacionit. Kam kërkuar edhe platformën ta di pse po shkojmë. Ai më tha: ‘s’mund t’i jap të gjitha’”.

Haradinaj ka thënë se janë të pavërteta ato që thuhen se Macron ka ngritur zërin ndaj tij.

“Ata shkallen e mirësjelljes e kanë shumë më të madhe se që kam unë. Ne nuk jemi pajtuar gati në asgjë, por janë njerëz që kanë kulturë. Nuk janë nga Gllogjani apo Jabllanica të ngrenë zërin. Ata i bëjnë ndryshe punët e veta”.

“… Kanë kërkuar të pezullohet taksa, kanë insistuar, kanë negociuar, por me një gjuhë shumë mirësjellëse”, tha ndër të tjera Ramush Haradinaj.