Haradinaj reagon pas shqetësimeve të OSBE-së për “mosshpërndarjen” e shtypit serb në komunat e veriut

OSBE-ja ishte alarmuar për bllokimin e shtypit serb në Kosovë dhe përfaqësuesi i kësaj organizate për Lirinë e Medias kishte kërkuar që t’i kushtohet vëmendje të drejtës së informimit në gjuhën amtare dhe, duke iu referuar taksës 100 për qind për produktet e Serbisë, kishte thënë se masat që kufizojnë pluralizmin e medias duhet të hiqen, pasi që mediat përbëjnë një shtyllë jetike të demokracisë.

Ballkani.info dje kishte raportuar për shqetësimet që kishte ngritur në Vjenë nga Harlem Désir, përfaqësues i OSBE-së për Lirinë e Medias, i cili kishte theksuar domosdoshmërinë e ruajtjes së të gjitha të drejtave qytetare për qasje në informata në gjuhën e tyre.

“Qasja në gazeta, duke përfshirë mediat serbe të shkruara, duhet të garantohet për të gjithë qytetarët dhe komunitetet lokale në çdo kohë”, ka thënë Désir, duke shtuar se “mediat dhe qasja në informata nuk duhet të jetë viktimë kolaterale e situatës aktuale”, kishte thënë ai, raporton Ballkani.info.

“Kujtoj se e drejta e papenguar e qytetarëve për informacion dhe shtypi pluralist duhet të sigurohet dhe të mbrohet në të gjitha rrethanat, pa ndonjë pengesë”, kishte shtuar Désir.

Por, shqetësimeve të ngritura prej tij u ka dhënë përgjigje edhe vetë Qeveria e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre iu garanton qasje në informacion, pa asnjë diskriminim.

“Kësisoj, si Qeveri e vendit demantojmë propagandat e autoriteteve serbe, nga të cilat janë ndikuar edhe disa organizata ndërkombëtare. Po e sqarojmë edhe njëherë se taksa 100 për qind, e drejtë e Kosovës për të mbrojtur sovranitetin e saj, në asnjë formë nuk prek shpërndarjen e mediumeve dhe të drejtën e informimit për asnjë pjesëtarë të asnjë komuniteti. Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre kanë të drejtë t’i krijojnë dhe përdorin mediat e tyre. Komunitetet dhe pjesëtarët e tyre kanë numër të rezervuar të frekuencave për mediat elektronike, me ligjin dhe standardet ndërkombëtare. Ligjet në Kosovë, ua kanë mundësuar pjesëtarëve të komuniteteve që edhe të jenë pjesë drejtuese e shumë institucioneve që lidhen me mediat. Krahas prezencës së një numri të madh të mediumeve serbe në vend, nga Qershori i vitit 2013 në Kosovë ka filluar transmetimet kanali i dytë i Radio Televizionit të Kosovës në të cilin 85 % e programit është në gjuhën serbe, 15 % në gjuhët e minoriteteve të tjera. E drejta për media garantohet përpos me Kushtetutë ashtu me ligje të posaçme: Ligji 03/L – 047 për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të komuniteteve dhe Pjesëtareve të tyre në republikën e Kosovës, i cili përmban dispozitat e caktuar për garantimin e lirisë së mediave për pjesëtaret e komuniteteve minoritare” ka sqaruar Haradinaj.

Ai ka thënë se presionet nga autoritetet e Serbisë dhe gënjeshtrat nuk i shërbejnë të drejtës dhe as procesit të integrimit.

“Ne do të bëjmë çdo gjë që të ruajmë të gjitha të drejtat kushtetuese dhe ligjore për të gjithë qytetarët e Republikës, e në veçanti për komunitetin serb në Kosovë”, ka shtuar ai. /Ballkani.info/