Haradinaj, Qeverisë: Hapni sallat e dasmave dhe hiqeni orën policore

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria që pacientët e infektuar me koronavirus dhe të cilët nuk mund t’i sigurojnë ilaçet të lirohen nga pagesa.

“Vazhdoni siguroni pako financiare për të prekurit nga kriza ekonomike…Ndërpreni menjëherë presionet ndaj bizneseve dhe gjobat ndaj qytetarëve, nuk është praktikë e duhur në kohë krize-ndëshkimi financiar…Legalizoni të gjitha tregjet që sjellin të hyra në buxhet dhe krijojnë vende të reja të punës”, ka thënë Haradinaj.

Ai në seancën që po mbahet në Kuvendin e Kosovës në të cilën po diskutohet për situatën pandemike në Kosovë, gjithashtu ka kërkuar që qeveria të mos ua ndërprejë shtesat pensionistëve dhe të mos bojkotojë punën e projekteve komunale.

Kreu i AAK-së, në fjalimin e tij ka shtuar që duhet të hapen sallat e dasmave dhe të largohet ora policore.

“Hapni sallat e dasmave, nuk ka kuptim të vazhdohet kështu, sepse sallat nuk janë më të mëdhaja se kjo sallë, largoni orën policore sepse nuk ka kuptim t’i bllokoni njerëzit dhe lëvizjen e tyre”, është shprehur Haradinaj në fjalimin e tij.