Haradinaj: Qeveria t’i qaset me seriozitet vreshtarëve të Rahovecit

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj shpreson që Ministria e Bujqësisë do t’i qaset me seriozitet vreshtarëve dhe qumështarëve  të Komunës së Rahovecit.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se venarët e Rahovecit vazhdojnë të përballen me probleme të shumta.

“Po shpresoj që Ministria e Bujqësisë do t’i qaset me seriozitet vreshtarëve dhe venarëve të Rahovecit pasi po vazhdojnë të kenë probleme të shumta me shitjen e rrushit dhe venarët me pranimin e tij”, ka shkruar Haradinaj.

Ai ka thënë se deputetët e AAK-së do ta mbështesin ministrin e Bujqësisë për të gjetë zgjidhje për venarët dhe qumështarëve të kësaj komune.

“Ministri Mustafa do ta ketë mbështetjen e Grupit tonë Parlamentar dhe besoj të të gjithë deputetëve të Parlamentit që të gjejë zgjidhje për këtë rast, sikurse edhe për rastin e qumështarëve që po përballen me shumë vështirësi”, është shprehur Haradinaj.