Polici i vrarë

Haradinaj premton sigurim jetësor për Policinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas vrasjes së djeshme të pjesëtarit të Policisë në Istog, u ka premtuar kolegëve të tyre se në ditët e para të janarit do të fillojnë të procedojnë për të iu dhënë sigurim jetësor.

I pyetur nga KALLXO.com se a do të u mundësohet sigurimi jetësor policeve, Haradinaj u shpreh optimist, pasi qe sipas tij, do të fillojnë menjëherë me procedurimin e ligjeve që mundëson sigurim jetësor Policisë së Kosovës.

“Po, kemi punuar, ligjet janë avancuar, unë mendoj që në ditë të para të Janarit do të filloj me i proceduar këto ligje një nga një. E rëndësishme është që ka një kohë që kemi ndryshuar qasjen ndaj Policisë, pra ju kemi dhënë përkrahje e nevojshme dhe besoj që kjo përkrahje do të rritet edhe mora premtim nga ministri, drejtori dhe koleg të tjerë që do te jenë në nivel të detyrës”, tha Haradinaj.

Haradinaj në këtë rast shtoi se nuk duhet lejuar që kriminelet të bëjnë ligjin në Kosovë.

“Unë kam ardhur edhe me u shpreh ngushëllime të gjithëve, po ashtu edhe më ju dhanë përkrahje. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveç që mos me lejuar që kriminelet me bë ligjin në Kosovë. Policia do ta merr përkrahjen në çka do qe i nevojitet. Dje kanë mundur të vriten gra e fëmijë, i keni parë skenat. Institucionet e Kosovës do t’i marrin të gjitha veprimet për ta përkrahur Policinë”, tha kryeministri.

Ndërsa, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, u shpreh se përveç që janë të pikëlluar ai shtoi se janë shumë krenar me heroizmin e policit të rënë në detyrë, Izet Demajt.

“Dje e kemi pasur një rast tragjik në Istog, ku kemi pasur dy humbje jetëve. Ka humbur jetën një polic, gjatë shkëmbimit të zjarrit ndaj një personi që ka dashur të bëjë një grabitje, është qëlluar edhe ai. Ka qenë një gjendje shumë e rëndë pasi që kanë qenë në rrezik edhe qytetarë të tjerë. Fatmirësisht kjo ka përfunduar vetëm me humbjen e dy jetëve pasi që ka mundur më pas shumë viktima. Unë jam shumë krenar që Policia ka arrit që t’i shpëtoj qytetarët dhe të intervenoj me kohë e të njëjtën kohë edhe shumë të pikëlluar që njëri prej policëve tanë është qëlluar dhe më vonë ka vdekur. Por, besoj që e ka kry punën me heroizëm dhe ka bërë një punë shumë madhështore. Jemi të pikëlluar por shumë krenar”, tha para mediave, Drejtori Qalaj.

Dita e nesërme në Kosovë do të shpallet ditë zie nga ana e Presidentit Hashim Thaçi, në nderim të policit të rënë në detyrë dje në Istog.