Haradinaj pranon që e ka mik Radojçiqin, përmend edhe Luanin e Shkëlzenin

Gjatë ditës së djeshme Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, gjatë konferencës për media tha se Kosova nuk do ta sakrifikojë Luginën për shkak të ndonjë individi në veri, duke iu referuar deklaratave të Kryeministrit të Kosovës, i cili kishte thënë se ideja për shkëmbim të territoreve tashmë kishte vdekur.

Presidenti Thaçi iu referua Kryeministrit Haradinaj për shoqërinë e treguar me Milan Radojciqin, njëri ndër njerëzit më me ndikim në veri.

Sot, gjatë konferencës për media, Kryeministri Haradinaj iu kundërpërgjigj deklaratave të Thaçit, duke thënë se asgjë nuk ka të bëjë Radojciqin dhe se shoqëri me këtë individ ka edhe vet Presidenti.

“Kam shoqëri me Milan Radojçiqin në veri, por më shumë burra të mirë kanë qenë Luani dhe Shkëlzeni”, tha Haradinaj.

Gjithashtu Haradinaj i përmendi Thaçit se me persona të tillë ai ka pasur edhe vet shoqëri dhe jo vetëm në veri.

“Thaçi takohet me këta persona edhe ktu në Prishtinë edhe në Bruksel, ata janë të njejtë” shtoi Kryeministri më tutje.

Kujtojmë se ftohjet e raporteve mes Kryeministrit të vendit dhe Presidentit kanë filluar qysh pas deklaratave të Kryeministrit kundër idesë së shkëmbimit të territoreve, në Memorialin e mbajtur në Marinë të Skenderajit ditë më parë.