Haradinaj: Po më duket që do t’i shkojë deri në fund mandatit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë, në një konferencë para gazetarëve ka folur rreth shkarkimit të Bejtush Gashit nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme, shkruan Gazeta Express.

Haradinaj ka thënë se një vendim i tillë për shkarkimin e tij ka ardh nga partia e Behgjet Pacollit, dhe sipas kryeministrit nuk mund të ketë ndonjë ndikim negativ në proceset që varen nga kjo ministri, siç është Interpoli dhe liberalizimi i vizave.

I pyetur nga gazetarja e T7 rreth mundësisë së angazhimit të Bejtush Gashit në postin e ambasadorit, Haradinaj nuk e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se është e pëlqyeshme që Bejtush Gashit t’i jepet ndonjë detyrë e re diplomatike.

“Lirimi prej detyre e ministrit Gashi, vjen nga partia AKR, deputeti Tahiri. Si do që të jetë nuk është në ndonjë tronditje për liberalizimin e vizave. Të gjithë punojmë, edhe prapë nuk është lehtë. Nuk është tronditje për procesin. Por duhet të kemi kujdes, duhet të jemi të fokusuar. Koalicioni është mes partive.  Unë muj me refuzu një kandidatur nëse nuk është e denjë. Është njëjtë sikurse në rastin e  NISMA-s. Unë kam pas respekt për z.Gashi, realisht dinamikat po janë më të shpejta. Ideja për me i dhënë një detyrë tjetër z.Gashi, mendoj se është i denjë për t’ia caktuar ndonjë detyrë diplomatike”, ka thënë Haradinaj , raporton Gazeta Express.

Sa i përket debatit për rrëzimin e qeverisë, Haradinaj ka thënë se është i vendosur të punojë dhe sipas tij mandatin do ta qojë deri në fund.

“Kur ta vendos Kuvendi me e rrëzua Qeverinë e rrëzon. Por unë kam vendos me punu. Mue po më duket që kam me e qu deri në fund mandatin”, është shprehur Haradinaj

Lidhur me transformimin e FSK-së në Ushtri, Haradinaj ka potencuar se nuk ka ndonjë shqetësim për sigurimin e financave, dhe ka thënë se leximi i dytë i tri-projektligjeve do të bëhet pas 20 nëntorit, datë kjo kur Republika e Kosovës do të provojë të anëtarësohet në INTERPOL.

“Kam mëndu që ligjet për FSK-në të vijnë pas 20 nëntorit. Por leximi i parë ka ardhë ma herët. Leximi i dytë duhet të ndodh pas 20 nëntorit. Sepse me 20 nëntor e kemi INTERPOLIN.Nuk ka ndonjë shqetësim për sigurimin e financave”, ka shtuar tutje kryeministri.

Haradinaj ka folur edhe për nismën e Agim Bahtirit për të hapur urën mbi lumin Ibër, të shoqëruar me një performancë të këngëtares me famë botërore Shakira. Kryeministri thotë se nuk është kundër, megjithatë thotë se hapja e Urës mbi Ibër nuk është çështje një ditore.

“Nuk kam as unë kundër. Ura nuk është çështje e hapjes vetëm për një ditë. Nuk dëshirojmë të rikthejmë situata kur dikush barrikadohet në anën tjetër. E kam lutur që ai të kujdesët”, ka thënë ai, shkruan Gazeta Express.

Sipas tij Republikën e Kosovës tashmë e presin tema të mëdha dhe nuk duhen bërë hapa të gabueshëm.

“Përapra vetes i kemi tri tema të ndjeshme: Ushtrinë, INTERPOLIN edhe Liberalizimin e vizave. Cdo verpim duhet ta bëjmë në kalkulim. Duhet të ruhemi nga hapa të gabueshëm”, ka përfunduar Haradinaj.