Haradinaj përsërit: Autostrada e Dukagjinit, e domosdoshme
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se autostrada e Dukagjinit është e domosdoshme.
Sipas tij, të gjithë parametrat thonë se kjo rrugë është e domosdoshme. Një autoudhë e tillë, sipas Haradinajt, do të bënte lehtësime të mëdha ekonomike.
“Të gjithë parametrat thonë se është e domosdoshme. Nisuni në rrugën Pejë-Deçan, do të qëndroni prapa një traktori sepse të gjitha tokat afër punohen. Ju mbetni prapa tyre. Është e pamundshme një rajon kaq i madh, me kaq tokë të punueshme, taksapagues, mos të ketë rrugë që e çliron atë vend”, ka thënë Haradinaj.
Duke folur për dallimin e partisë së tij dhe partnerit në koalicionin parazgjedhor PSD-së, lidhur me këtë pikë, Haradinaj ka thënë se “PSD-ja e kupton rëndësinë ekonomike të kësaj rruge”.
“S’i kuptoj ata që janë kundër. Pse s’i u përmend kjo rrugë e Dukagjinit po flasin për zgjerim? Pse s’u tha më herët?” ka shtuar ai teksa ka deklaruar se te partnerët e tij “ka shqetësime për koston, dhe këtu edhe unë ftoj për kujdes”.
Haradinaj ka thënë lidhur me këtë partneritet se në PSD sheh “njerëz që mund të ndihmojnë në qeverisje”.
Ai ka thënë se i vlerëson lartë gjykimet e PSD-së në vendimin për Ushtrinë dhe garancën për të mos dalë kundër qeverisë në kohën e atyre ligjeve.
Haradinaj ka thënë se PSD-ja s’e ka mbajtur gjallë qeverinë.
“Qeveria do të ishte deri në fund të mandatit, sa për opozitën, por vendimin për dorëheqje e kam marrë në bazë me thirrjen nga Gjykata Speciale”, ka thënë ai.
Për dallimet në të kaluarën dhe deklarimet e Molliqajt se “Haradinaj s’është i mençur sa duhet dhe se më i miri është Albin Kurti”, i pari i AAK-së ka thënë se të gjithë kanë dallime dhe përvoja të ndryshme.
“Të gjithë kanë dallime. Përvojat e mia jetësore, qeverisja, menaxhimi me tema, s’kanë qenë të lehta. Edhe tema e lirisë, s’ka qenë e lehtë. S’është vetëm përcaktimi te liria. Menaxhimi i saj ishte i vështirë”, ka deklaruar më tej Haradinaj.