Haradinaj: Përmes “krizës humanitare”, Serbia po mundohet ta heq taksën që nuk kanë mundur Trump, Merkel e Macron

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një konferencë për media ka folur rreth “krizës humanitare në veri”.

Ai ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është ideatori i gjithë kësaj.

“Është e pabesueshme që ende në Serbi ka këso logjike, presidenti Vuçiq është ideator dhe zbatues i këtij skenari, që sipas tyre mendojnë që atë që nuk kanë mundur ta arrijnë presidenti Trump, kancelarja gjermane, Merkel e presidenti francez, Macron që është suspendimin taksës, po mundohen me realizu këtë përmes një destabilizimi në veri, me kriju një krizë humanitare, është skenar primitiv”, ka thënë Haradinaj para mediave.

Haradinaj, ka thënë se në letrën që i ka dërguar presidentit serb, Vuçiq, ka kërkuar që të mos e zbatojnë skenarin për “krizën humanitarë”, pasi që këtë po e sheh gjithë bota, dhe po e kupton se Serbia është shkaktar i destabilizimit.

Ndryshe, në katër komunat në veri të Kosovës bizneset i kanë mbyllur të gjitha dyqanet që kanë, përfshirë edhe ato me produkte ushqimore, duke synuar të paraqesin një gjendje që ata po e quajnë “katastrofë humanitare”.

Kjo po bëhet në shenjë proteste ndaj taksës 100% për produktet e Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës. Për këtë gjendje, Qeveria e Kosovës ka dërguar mallra në veri të vendit, në mënyrë që qytetarëve serbë të Republikës së Kosovës mos t’u mungojnë gjërat elementare për jetesë.