Haradinaj: Përgëzime dhe ngushëllime, ideja e kufijve ‘ka vdekur’

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha sot se ideja e korrigjimit të kufijve tashmë ‘ka vdekur’ dhe u ka shprehur ngushëllime atyre që kanë pasur pretendime për ndryshim të territoreve.

“I shpreh ngushëllimet e mija për këtë ide të kufijve, pasi që mendoj se ka vdekur, dhe njëkohësisht edhe përgëzime”, ka thënë ai.

Ideja për korrigjimin e kufijve mes Kosovës e Serbisë është dhënë nga Presidenti Hashim Thaçi në gusht të këtij viti, ndërsa Haradinaj vazhdimisht e ka kundërshtuar këtë opsion.

Ai pas dekorimit me hartën e artë për Elena Kadaren, është shprehur optimist sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave.

“Ju siguroj që nuk është keq gjendja, çdo mik që vjen në Prishtinë neve na njofton me vështirësitë që i kemi në proces për gjendjen, dhe po jua siguroj që nuk e kemi një ‘jo’ dikun, kemi shumë punë por jam optimist që do e marrim para fundit të vitit”, shtoi Haradinaj.