Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një tekst autorial për gazetën prestigjioze “The Washington Post” shkruan se Kosova nuk do të pranojë dhunën e Serbisë ndaj sovranitetit.
Në hyrje të tekstit, Haradinaj tregon historinë e re të Kosovës, duke mos harruar ndihmën e vazhdueshme të Amerikës si aleat i Kosovës që ndali spastrimin etnik, si dhe tash po ndihmon në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
“Sot Kosova si shtet njihet nga më shumë se gjysma e vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara”, shkruan ai.
Tutje Haradinaj thekson se Serbia dhe aleati i saj, Rusia, kanë refuzuar njohjen e Kosovës dhe e kanë bllokuar anëtarësimin e Kosovës në OKB.
“Edhe pse është arritur Marrëveshja e Brukselit për normalizim të marrëdhenieve, Serbia ka punuar që ta bllokojë rrugën tonë drejt anëtarësimit në BE, por edhe në organizata tjera ndërkombëtare. Javën e kaluar, tentimi ynë që të anëtarësohemi në Interpol u refuzua, duke ndihmuar kështu krimin e organizuar”, shkruan Haradinaj, transmeton Ballkani.info.
Tash, thotë Haradinaj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i kthyer kah Rusia, e ka bërë një ofertë: Serbia do ta njoh Kosovën nëse ne ia japim një pjesë të territorit.

“Serbia po dëshiron ta krijoj shtete të pastra etnikisht, duke i larguar njerëzit nga nënshtetësia dhe shtëpitë e tyre”, thekson kryeministri kosovar.
“Ky është çmim shumë i lartë për t’u paguar. Ne nuk do ta dhunojmë Kushtetutën tonë, të heqim dorë nga sovraniteti dhe ta shkaterrojmë integritetin tonë territorial vetëm që Serbia të na njoh, gjë që tashmë është fakt. Ne po ashtu nuk do të lëshohemi në precedente të rrezikshme që do ta destabilizonin Ballkanin dhe vendet tjera që po luftojnë për integritetin e tyre territorial, si Izraeli, Ukraina dhe India”, shkruan Haradinaj.
Sipas tij, shumica e ekspertëve ndërkombëtarë kanë dalë kundër kësaj ideje.
“Edhe qytetarët e Kosovës e kanë hedhur poshtë – me 77 për qind të votave të një ankete. Si kryeministër i vendit, unë asnjëherë nuk do ta mbështesë një tregti të tillë”, thekson ai.
Haradinaj ka shkruar edhe për taksën ndaj mallrave serve dhe boshnjake.
Sipas tij, kjo taksë do të vazhdojë të jetë në fuqi derisa Serbia të mos heqë dorë nga bllokimi i Kosovës. /Ballkani.info/







