Partia opozitare Vetëvendosje, ka paralajmëruar nesër mbajtjen e protestës së radhës në Prishtinë.

Protesta është organizuar si pakënaqësi ndaj sistemit të drejtësisë dhe konkretisht është kërkuar shkarkimi i kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit, shkruan Ballkani.info.

E protestën e Lëvizjes Vetëvendosje e ka komentuar edhe kryeministri aktual i vendit, Ramush Haradinaj.

Përmes një statusi në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se protesta kundër korrupsionit, me kërkesën për dorëheqjen e bartësve të pozitave të larta në sistemin e drejtësisë, si pushtet i ndarë, është e drejtë qytetare dhe politike.

Tutje, Haradinaj ka thënë se presioni i rrugës mbi drejtësinë është precedent që nuk i kontribuon vendosjes së saj.

Në fund, kryeministri i ka bërë thirrje Lëvizjes Vetëvendosje, që të shterojë të gjitha rrugët institucionale rreth kërkesave të tyre.

“Lëvizjen Vetëvendosje, si subjekt i respektueshëm parlamentar, e ftoj të shterojë të gjitha rrugët institucionale, të përdorë së pari interpelancat parlamentare, tryezat politike dhe debatet me ekspertët për sistemin e drejtësisë”, ka shkruar Haradinaj, përcjell Ballkani.info.

Kujtojmë se Vetëvendosje javë më parë ka filluar edhe organizimet nëpër komuna të ndryshme të Kosovës, siç i kanë quajtur ata ‘kundër PANhajnisë’. /Ballkani.info