Haradinaj për filozofin marksist Slavoj Zhizhek: Ai është llom e përtej llomit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka komentuar një opinion të filozofit marksist Slavoj Zhizhek të publikuar në mediat vendore, i cili ka mbrojtur Kurtin pas rrëzimit dhe ka ofenduar kundërshtarët e tij politik.

“Nuk mundet një Sllavoj Zhizhek me i quajtë “llom” 62 përfaqësues të popullit. Ai është llom e përtej llomit”, ka thënë ai. Kryetari i AAK-së ka ftuar të gjithë që të reflektojnë dhe të shikojnë edhe nga Kurti. Sipas tij, edhe ai ka faje për gjendjen e krijuar. Haradinaj ka theksuar se me ardhjen e Alin Kurtit në krye të Qeverisë presidentit të Kosovës iu hapën dyert. Ai ka thënë se Thaçin e kishte bërë pensioner politik, por Kurti e ka futur sërish në lojë, ka thënë ai.

“Në një kohë të caktume zotin Thaçi e kam kthy në pensioner politik. Albin Kurti, menjëherë ia ka kthy vlerën dhe e ka bë faktor në politikën e brendshme dhe të jashtme”, ka thënë Haradinaj në Interaktiv. Haradinaj e ka kritikuar Qeverinë Kurti, duke thënë se ka gabuar duke e copëtuar vendimin për taksën dhe duke mos e shfrytëzuar për përfitime politike përmes SHBA-së.

“Ne kemi shkuar një rruge të gabuar me këtë Qeveri. Nuk copëtohet vendimi i taksës. Ky ka qenë kapital politik dhe është dashtë me shfrytëzu për diçka të madhe. Është dashtë me kërku nga SHBA marrëveshjen Kosovë-Serbi, në këmbim të heqjes së taksës”, ka thënë ai.