Haradinaj parashikon dy mundësi për vazhdimin e dialogut me Serbinë

Janë dy mundësi për përmbylljen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Komentet e tij, Haradinaj i bëri pas takimit që zhvilloi në Berlin me kancelaren gjermane, Angela Merkel.

Dialogu me Serbinë, çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe bashkëpunimi reciprok, u tha se ishin temat kryesore të diskutuara në takimin Merkel – Haradinaj.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Haradinaj tha se nuk pret që procesi të përmbyllet shpejt.

“Janë dy mundësi, e para është mundësia e një vendimi të madh dhe ne duhet që ende të shpresojmë në këtë mundësi, sidomos pas involvimit të presidentit Donald Trump dhe tash të përfshirjes direkte të kancelares Angela Merkel dhe presidentit Emmanuel Macron për arritjen e një marrëveshjeje të madhe. E nëse kjo nuk arrihet, atëherë mundësia tjetër është të ketë një proces disa mujor apo disa vjeçar”, tha Haradinaj, raporton rel.

Kryeministri i Kosovës tha se megjithatë, nuk shpreson shumë se do të ketë një marrëveshje të shpejtë, duke parashikuar mundësinë që fillimisht të ketë një marrëveshje kornizë e cila përmes një përfaqësuesi special ndërkombëtar do të diskutohet deri në finalizimin e saj.