Haradinaj: Papunësia është ulur në 26.9 për qind

Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore për tremujorin e parë të këtij viti. Kjo anketë ka pasur shtrirje në 452 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 4004 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave të vitit 2011.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare. Nga popullsia në moshë pune, 61.3 % nuk janë ekonomikisht aktivë, që do të thotë se ata nuk janë të punësuar dhe nuk kanë qenë aktivë në kërkim të punësimit gjatë katër javëve të kaluara ose nuk janë të gatshëm të fillojnë punë brenda dy javësh.

Megjithatë, kjo e ka bërë krenar kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, dhe e ka quajtur lajm të mirë për qytetarët e Kosovës.

“Bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shkalla e papunësisë në Kosovë, është ulur në 26.9 %, për periudhën Janar – Mars 2019 në krahasim me periudhën Tetor – Dhjetor 2018 që ishte 31.6%. Këto statistika tregojnë edhe një fakt, që ulja e papunësisë ka ndodhur në grupmoshat 15-54 vjeçare. Nga 57.3 % të të papunëve nga kjo grupmoshë, tremujori i parë i 2019-tës, tregon një ulje për 7%, konkretisht 50.6 për qind”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj thotë se këto statistika, “janë lajm i mirë për gjithë qytetarët tanë dhe dëshmi e zhvillimit të brendshëm ekonomik, megjithëse për Qeverinë e vendit, mbetet shqetësim i vazhdueshëm shkalla e papunësisë në vend”.

“Në këtë përpjekje, do të vazhdojmë angazhimin tonë, për të fuqizuar zhvillimin ekonomik të vendit, duke mbështetur prodhuesit tanë dhe duke tërhequr investime të huaja direkte, të cilat çojnë në hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e përgjithshme ekonomike”, ka përfunduar ai.