Haradinaj: Opozita e ka penguar konsensusin për projekt-rezolutën e dialogut

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka kërkuar që spektri politik i Kosovës ashtu siç reflektoi unitet për FSK-në dhe ushtrinë, të ketë unitet edhe për çështjen e dialogut me Serbinë.

Në një intervistë për RTK, Haradinaj ka ka theksuar se në luftën tonë për pushtet të mos i japim fitore Serbisë. “Mendoj që duhet të gjendet konsensus, sikur për FSK-në”, ka thënë ai, ndërsa ka fajësuar opozitën për mosmiratimin e projekt-rezolutës.

“Ne si pozitë bëmë lëshimin, shkuam në seancën e thirrur nga opozita. Ne treguam që duam konsensus. Unë kam dëgjuar që në mënyrë të çuditshme nga opozita është penguar konsensusi”, ka thënë ai.

Haradinaj ka folur edhe për thirrjet dhe përpjekjet e opozitës për të arritur deri të rrëzimi i qeverisë së tij, dhe ai ka këshilluar opozitën që “t’i bëjë votat dhe të më rrëzojnë, s’ka problem”.