Haradinaj: Nuk njolloset lufta e UÇK-së, luftuam në mbrojtje të tokës dhe shtëpive tona

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se 5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Kombit, bashkon kujtimin për të rënët për liri në të gjitha trevat dhe për të gjitha kohërat.

Kështu ka thënë Haradinaj pas nderimit për dëshmorët në Gllogjan.

“Secila datë ka një dhimbje dhe një histori për shqiptarët. Data e sotme bashkon kujtimin për të rënët për liri, për të gjitha përpjekjet në të gjitha trevat e në të gjitha kohërat. Gjithashtu e lidhë shkuarjen nga kjo jetë të një patrioti të kombit, Smajl Haradinaj i cili në rrugëtimin e tij jetësor njihet si i pa thyeshëm në idealet e tij kombëtare”, tha Haradinaj.

Ai tha se me luftën e UÇK-së do të krenohen përveç shqiptarëve, edhe popujt tjerë liridashës dhe aleatët tanë që u bashkuan për çlirimin e Kosovës.

“Luftërat në botë ndodhin për shumë arsye, por e jona ishte për një arsye të vetme, ishim të shtypur, të kërcënuar me jetë, kishte përpjekje për shfarosje, prandaj ishim të detyruar me u mbrojt, me u çliru. Pra, kjo është e vërteta e luftës sonë, luftës së një ushtrie me të cilën shqiptarët do të krenohen për jetë, edhe popujt liridashës, por edhe aleatët tanë që na u bashkuan në rrugën tonë për liri. Ishte luftë e drejtë sepse ndodhi në vendin, në territorin ku jetonte një popull i një etnie, në këtë rast shqiptarë, në shtëpinë e vet, në tokën e vet, prandaj ishim të detyruar të luftojmë kundër atij që ishte ardhë nga një vend tjetër, në këtë rast nga Serbia e Millosheviqit”, është shprehur ai.

Haradinaj tha se përpjekjet për ta njollosur luftën e UÇK-së janë të kota, sepse bota e di të vërtetën.

“Pastërtia e luftëtarëve të UÇK-së është dëshmuar edhe në të kaluarën, do të dëshmohet edhe në të ardhmen. Andaj, kushdo që provon luftës sonë të drejtë, të nevojshme dhe të pastër të UÇK-së me i dhënë kahe tjera cilado qofshin ato, do të dështojnë sepse del kundër të vërtetës për të cilën e di e gjithë bota”, ka përfunduar ish-Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.