Haradinaj: Nuk lodhna hiç për Serbinë, kur të është ajo gati për njohje, jemi edhe ne!

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se ata që do të shtyjnë nga ndarja e Kosovës do të thellojnë edhe më tepër humbjen.

Haradinaj, në RTV Dukagjini ka thënë se kompromisi për Kosovën ka qenë Pako e Ahtisarit, dhe se kompromise tjera nuk do të ketë.

I pari i AAK-së ka thënë se Kosova tashmë ka konsoliduar institucionet e sigurisë dhe të gjithë ata që flasin për status-quo “qëllimshëm po duan ta mashtrojnë Kosovën”.

Kryeministri ka thënë se me Presidentin ka raporte institucionale, pasi i ka obligim kushtetues.

“Mirëpres, kur Presidenti prezanton në akademi përkujtimore të organizuara nën patronatin tim”.

Haradinaj ka thënë se është shumë i gëzuar që në tema të interesit nacional, “disa kanë dështuar disa pasi janë munduar të më bindin se është e kryer kjo punë dhe mos humb kohë [korrigjimi i kufirit-shkëmbimi i teritoreve]”.

“Jam shumë i kënaqur që kam lënë duarthatë të gjitha ata. Jo për hatër timin, por të këtij vendi. Ata që kanë hyrë në këtë vorbull, fatkeqësisht një pjesë pa e ditur se çfarë janë duke bërë”, tha ai.

“Nuk lodhna hiç për Serbinë, kur të është gati ajo më na njoftë, jemi edhe ne”, ka thënë tutje kryeministri.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se nuk mund të ketë unitet brenda Kosovës kur, sipas tij, dikush cenon interesat kombëtare.

Haradinaj ka thënë se kryeministri shqiptar Edi Rama duhet ta dijë që “qëndrimet e Kryetarit të Qeverisë së Kosovës, janë të shtetit të Kosovës”.