Konferenca

Haradinaj: Nuk është vonë që Mogherini të përmirësohet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një konferencë për media të mbajtur ditën e sotme, ka theksuar edhe nëjherë kërkesat e Qeverisë së Kosovës ndaj përfaqësuesve të BE-së.

Pas takimit të djeshëm mes përfaqësueses së lartë të BE-së, Frederica Mogherinit dhe Haradinajt, ishte anuluar konferenca për shtyp e paraparë të mbahet pas takimit.

E kjo si duket erdhi si rezultat i këmbënguljes së kryeministrit Haradinaj që pjesë e dialogut të bëhen edhe SHBA-të dhe refuzimi i heqjes së taksës.

“Unë kam kërkuar nga BE që pjesë e dialogut të bëhet edhe Shetet e Bashkuara, jo pse e kam inat Mogherinin por kjo do të ofronte çasje më të mirë në dialog dhe BE-së do të iu mundësohej që investimet ti dalin në dritë” ka thënë Haradinaj, raporton Ballkani.info.

Tutje, Haradinaj nuk ka kursyer as kritikat të cilat i kishte përsëritu edhe më herët ndaj Mogherinit, ku kishte thënë se ajo e ka ‘mbytur’ dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë nuk mendoj se është vonë që Mogherini të përmirësohet e ta kthejë dialogun në kornizën që ka qenë. Korniza e dialogut dhe pikat të cilat janë theksuar më parë, asnjëherë nuk kanë përmendur statusin e Kosovës apo çështjen e kufinjve. Kjo temë nuk ka qenë prezentë asnjëherë dhe nuk duhet të jetë sepse vetëm po humbet kohë” ka përfunduar Haradinaj.

Haradinaj gjithashtu ka përkrahur delegacionin e formuar nga Kuvendi i Kosovës duke thënë se ky delegacion do të ndihmojë përfaqësimin e Kosovës në dialog. /Ballkani.info/