Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur për media pas takimit të sotëm mes tij, Veselit, Thaçit dhe ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.
Haradinaj ka folur edhe për kërkesat e vazhdueshme të ndërkombëtarëve për heqjen e taksës, duke thënë se i respekton kërkesat e tyre.
“Unë i respektoj kërkesat e miqve tanë ndërkombëtarë, por nuk besoj se taksa do të ndikojë në dialog, nuk ka pse. Taksa nuk ka nevojë të ndërlidhet në çdo temë, pasi që ajo është vendim i Qeverisë sonë”, ka thënë Haradinaj, raporton Ballkani.info.
Tutje, Haradinaj ka folur edhe për takimin e mbrëmshëm që ka pasur me krerët e shtetit, por nuk ka dhënë detaje të shumta nga takimi.
“Në takimin e mbrëmshëm temë diskutimi kanë qenë sfidat që na presin dhe situata ku gjendemi”.
Në fund, Haradinaj ka theksuar edhe njëherë se duhet të ulen në tavolinë për bisedime, ku do të diskutohej edhe çështja e taksës, por ka thënë që kjo nuk do të ndodhë para bisedimeve.
“Kosova nuk duhet të kushtëzohet për tavolinë, ne nuk u pranuam në Interpol por nuk jemi tërhequr nga tavolina. Njëherë duhet të ulemi në tavolinë dhe pastaj bisedojmë për të gjitha, përfshirë këtu edhe taksën”, ka përfunduar Haradinaj. /Ballkani.info







