Haradinaj nga Tirana: Bashkë jemi më të fortë

Pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj,  i shoqëruar nga deputetë e kryetarë komunash, takoi ndaras grupet kryesore parlamentare të Kuvendit të Shqipërisë, kryebashkiakun e Tiranës dhe Princin Leka II.

Kreu i AAK-së ka takuar grupin e Partisë Demokratike kryesuar nga Enkelejd Alibeaj, Partisë Socialiste kryesuar nga Taulant Balla, si dhe kryetaren e LSI Monika Kryemadhi.

Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se ka shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit mes partive tona, për të shtyrë përpara agjendat kombëtare në funksion të zhvillimit ekonomik dhe faktorizimit të shqiptarëve në rajon e Evropë”.

“Bashkë jemi më të fortë”, ka shkruar Haradinaj.

Haradinaj gjithashtu ka njoftuar se ka takuar edhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, për të cilin ka thënë se është model për kryetarët e komunave.

“Erioni për përkushtimin dhe zgjidhjet efektive për komunitetin, është model për të parët e të gjitha qyteteve, komunave e bashkive shqiptare”, ka shkruar Haradinaj.

Në fund të vizitës së tij në Tiranë, Haradinaj ka takuar Naltësinë e Tij Mbretërore Princin Leka II, në prag të 61-vjetorit të vdekjes së gjyshit të tij, Zogu i Parë, Mbret i Shqiptarëve.

“Familja Mbretërore mbetet burim frymëzimi e atdhedashurie, adresë e rëndësishme e vlerave dhe trashëgimisë sonë historike”.

Ai ka thënës se është gjithmonë kënaqësi kur takohet me Princin.

“Shqiptarët, të rreshtuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe botën demokratike, fuqishëm po trasojnë udhën e integrimit të plotë në familjen euro-atlantike. Ky orientim garanton ndërtimin e së ardhmes së sigurt për shqiptarët, zhvillimin ekonomik, marrëdhëniet e mira fqinjësore, bashkëpunimin dhe paqen afatgjate në Ballkan”, ka shkruar Haradinaj.