Haradinaj: Nëse Veseli e Limaj mendojnë se unë s’duhet të jem kryeministër le të bëjnë mocion

Rezistenca e kryeministrit Haradinaj ndaj taksës ka bërë që të ketë lëkundje dhe deklarata kundërthënëse mes partnerëve të koalicionit qeverisës.

Kryeministri në Rubikon të KTV-së tha se qëndrimet e secilit janë tashmë publike dhe nuk ka se çka të komentojë mbi to.

Ai bëri të ditur se bashkëpunimi i tyre vazhdon në çdo temë tjetër ndonëse nuk pajtohen lidhur me taksën.

“I kam kërkuar Limajt dhe Veselit që të kenë mirëkuptim përderisa dëshirojnë që unë me ushtru këtë funksion, deri sa mendojnë që unë duhet të ushtroj këtë funksion. Nëse ndryshojnë qëndrim për kryeministrin apo qeverinë është e kuptueshme dhe legjitime. Nuk tërhiqem por ata mund të organizojnë mocion”, ka thënë ai.

Haradinaj thotë se edhe Limaj e Veseli janë në pozitë të vështirë meqë vendimi u mor bashkërisht, se asnjëri prej tyre nuk dëshirojnë të shkatërrojnë marrëdhënien Kosovë SHBA.

“Unë nuk jap dorëheqje, e këtë ua kam thënë edhe atyre”, thotë Haradinaj.