Haradinaj nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit për Institutin e Teknologjisë së Qëndrueshme

Në kuadër të Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Poznan të Polonisë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj së bashku me liderët e rajonit, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq, kryeministrin e Bullgarisë, Boyko Borissov dhe kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnjës dhe Hercegovinës, Denis Zvizdiq, ka marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit për Institutin e Teknologjisë së Qëndrueshme, që do të jetë qendër shkencore për trajtimin e kancerit dhe hulumtimeve biomedicinale.

Siç njofton zyra e kryeministrit, i financuar nga Bashkimi Evropian, ky institut, do të jetë në shërbim të shkencës e teknologjisë, ku do të bëhen hulumtime mjekësore, nga të cilat do të përfitojë tërë rajoni i Evropës Juglindore.

Po ashtu, kryeministri Haradinaj ka marrë pjesë në drekën e punës me krerët e delegacioneve, në të cilën temë e diskutimit ishin të arriturat e Procesit të Berlinit, pritshmëritë dhe hapat e mëtejshme, si dhe është diskutuar për shumë çështje të rëndësishme për rajonin.

Në këtë drekë pune, pjesëmarrës ishin edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, kryeministrja e Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, kryeministra të tjerë të shteteve evropiane dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

loading…