Haradinaj në Tropojë në shtëpinë ku qëndronin me Luanin

Pas pritjes madhështore në qendër të Bajram Currit, kryetari i Aleancës, ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-komandant i ZO të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, ka vazhduar me vizitë në Spitalin “Isa Zllami”.

Aty ka mbajtur fjalim para stafit dhe ka ndarë medalje për spitalin si dhe për mjekun e ndjerë Dr. Sokol Sulo. Më pas ai ka bërë homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve të Rrethit të Tropojës dhe ka vizituar Kullën e Binak Alisë dhe Mic Sokolit si dhe Lapidarin në Rrugën e Gashit, kushtuar betejave, kuvendeve e kryengritjeve shqiptare prej Lidhjes së Prizrenit.

Emocionale ishte vizita në shtëpinë ku gjatë organizimit të luftës, Ramush Haradinaj ka qëndruar së bashku me të vëllain Luanin, tani Hero i Kombit. Ai ka pirë ujë edhe te kroi ku kishte pirë bashkë me të.

Ai ka ndarë medalje “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET” edhe për familjen e Binak Ali Mulosmanit dhe familjen Bajraktari.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka ndarë foto ku paraqiten këto vizita, por edhe takimet emocionale me banorë të Tropojës të cilët ai i kishte njohur gjatë kohës së vështirë të organizimit të Luftës Çlirimtare. Kujtojmë se Haradinaj është shpallur qytetar nderi në Tropojë, në vitin 2008, pas lirimit nga Haga për herën e parë dhe është shumë popullor atje.

Postimi i plotë i Haradinajt:

Në vazhdim të vizitës në Rrethin e Tropojës, kam bërë homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të këtij rrethi. Gjithashtu kam ndaluar te disa monumente që simbolizojnë dhe ruajnë pjesë të rëndësishme të historisë së shqiptarëve në tre shekujt e fundit, Spitalin “Isa Zllami” që ishte adresë e trajtimit të qindra luftëtarëve të UÇK-së, Kullën e Binak Alisë, që shërbeu si gjykatë dhe kuvend në të cilën u morën shumë vendime të rëndësishme, Kullën ku u lind e u rrit Heroi Kombëtar Mic Sokoli, që shpërfaq dëshmi të shumta të rezistencës kundër pushtuesve dhe Lapidarit në Rrugën e Gashit që i kushtohet kuvendeve, betejave dhe kryengritjeve që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit.

Kam vizituar edhe shtëpinë e të ndjerit Hamdi Bajraktari, që ka vlerë të madhe emocionale për mua, ku takuam të shoqen e Hamdiut, Bardhen, të birin Agronin dhe familjarë të tjerë.

Gjatë organizimit të Luftës Çlirimtare, kjo shtëpi ishte strehë dhe sofër për mua e për vëllain tim Luanin, por edhe shumë luftëtarë të lirisë. Evokuam shumë kujtime të ditëve më të lavdishme dhe piva ujë në kroin ku kemi pirë bashkë me Luanin.

Për kontribut të jashtëzakonshëm në çështjen kombëtare shqiptare, kam ndarë medaljen “ME BESIM NË ZOT, ATDHE E SHTET”, për familjen e prijësit dhe gjykatësit popullor Binak Ali Mulosmani, familjen e atdhetarit Brahim Shpend Bajraktari, Dr. Sokol Sula (post mortem) dhe Spitalin “Isa Zllami”. Falënderoj kryetarin e Bashkisë së Tropojës z. Rexhë Byberi për pritjen. Falënderoj secilin tropojan që në çdo vizitë, më bëjnë të ndjehem si në shtëpinë time!