Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se dita e djeshme në Bruksel është një hap përpara për Kosovën. Haradinaj në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kryeministri Kurti e ka vendosur dje Kosovën në pozicionin e duhur pas shumë gabimeve që ka bërë.
“Në takimin e djeshëm në Bruksel, Kosova ka bërë një hap të madh përpara. Me pranimin e propozimit të pesëshes, kryeministri Kurti e ka vendosur Kosovën në pozicion të duhur pas shumë gabimeve dhe pas një kohe të gjatë që është humbur në dialog”, tha Haradinaj.
Haradinaj ka kërkuar nga Bashkimi Evropian t’ia heqë Kosovës sanksionet e vendosura kohë më parë. “Pas zhvillimeve të djeshme në Bruksel, Bashkimi Evropian duhet t’i heqë sanksionet, sepse qeveria e Kosovës ka marrë obligim dhe ka shpreh gatishmëri për zbatimin e dokumentit që ka sjellë pesëshja dhe nuk ka shpreh vërejtje në dokument por ka shpreh kërkesa të tjera, prandja besoj që BE-ja duhet menjëherë me ia hjekë Kosovës sanksionet sepse është e pakuptimtë me vazhdu me sanksione për Kosovën”.
“Mendoj se edhe presidenti franzes, Macron ndihet mirë sepse Kosova e ka mbajtur fjalën. Plani franko-gjerman, udhërrëfyesi i Ohërit dhe obligimet e marra janë konfirmu dje me gatishmëri për zbatim”, u shpreh Haradinaj.
Haradinaj i ka bërë thirrje Kurtit që mos të gaboj tani në etapa tjera dhe të koordinojë çdo hap me aleatët.
“I bëj thirrje kryeministrit Kurti që në etapa të tjera këtë situatë të krijuar mos ta kthej mbrapa, por të veprojnë në koordinim të ngushtë me aleatët tonë të sigurisë. Është në interes të Kosovës me nis procesin për anëtarësim në NATO, pra dita e djeshme le të shfrytëzohet për ecje drejt NATO-s. Në të njëjtën kohë, ftojë kryeministrin Kurti të respektojë Kosovën dhe popullin e Kosovës, të zgjedhurit e Kosovës dhe të gjithë në Kuvend. Këto të arritura që janë sot, mundësitë janë kanë t’i kishim para dy viteve, madje edhe më të mira, madje do të ishim në etapën finale të anëtarësimit në NATO”, tha Haradinaj.







