Haradinaj në Samitin e Poznanit: Dallimet midis Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhen

“Një marrëveshje me njohje reciproke, mbi kufijtë ekzistues midis dy kombeve tona është e domosdoshme. Ne si Kosovë jemi të përkushtuar në këtë proces”.

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka mbajtur një fjalim në Samitin e Poznanit, me ç’rast ka thënë se dallimet e mëdha midis Kosovës dhe Serbisë mund dhe duhet të zgjidhen.

Ai edhe njëherë e ka konfirmuar qëndrimin e tij duke thënë se Kosova është e përkushtuar që të arrijë një marrëveshje me njohje reciproke me Serbinë, mbi kufijtë ekzistues mes dy vendeve.

“Të nderuar mikpritës, faleminderit që keni organizuar këtë samit. Dëshiroj që brenda një kohe të shkurtër ta konfirmoj qëndrimin dhe angazhimin e Kosovës. Kosova është angazhuar në Samitin e Berlinit dhe mbështeti arritjet e tij në vazhdimësi”.

“Gjithashtu edhe arritjet e Samitit të Poznanit, ne si Kosovë marrim përgjegjësi të plotë që t’i zbatojmë. Më duhet ta pranoj se kemi dallime të mëdha ndërmjet Kosovës dhe Serbisë; dallime që mund dhe duhet të zgjidhen”.

“Unë dëshiroj të shoh rritje të tregtisë ndërmjet dy vendeve tona, por kjo nuk është një temë e thjeshtë. Ekziston një kontekst më i gjerë politik në të cilin duhet të merren vendime të guximshme. Një marrëveshje me njohje reciproke, mbi kufijtë ekzistues midis dy kombeve tona është e domosdoshme. Ne si Kosovë jemi të përkushtuar në këtë proces”.

Më poshtë mund ta dëgjoni fjalimin e plotë të tij në gjuhën angleze.