Sheshi

Haradinaj në Obiliq: Ligji për Obiliqin sot është realitet

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në fillimin e punimeve për ndërtimin e sheshit të qytetit të Obiliqit.

Lajmi për këtë u bë i ditur përmes një komunikate të dërguar nga Zyra e Kryeministrit.

Haradinaj që në Obiliq ishte bashkë me ministrin e Infrastrukturës Pal Lekaj,u tha qytetarëve se Ligji për Obiliqin është realitet, dhe po shkohet kah një qytet atraktiv ku njerëzit do të ndjehen mirë në këtë komunë.

“Jemi në proces të investimeve në energji alternative, por edhe në teknologji të re me qymyr dhe po punojmë intensivisht që vetvetiu të mos hetohet ndotja, por të jetë Obiliqi një vend i pëlqyer nga të gjithë”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, për fillimin e punimeve të sheshit të këtij qyteti tha se po fillon një projekti madhor i domosdoshëm për qytetin e Obiliqit.

“Obiliqi po ndryshon. Sot në Obiliq janë 43 projekte në realizim, sot është projekti i 44-të, ndërsa të hënën do të fillojmë me realizimin e projektit të 45-të”, tha kryetari Gashi.

Sheshi i Komunës së Obiliqit, do ta mbajë emrin e kontribuuesit të madh të kësaj komune, Adem Preniqi.

Ndërsa, gjatë qëndrimit të tij në Obiliq, shefi i Qeverisë ka bërë homazhe edhe te lapidari i dëshmorëve të lirisë të Komunës së Obiliqit.