Haradinaj në Gjilan: Nuk ka lojë me kufij (VIDEO)

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, gjatë ditës së sotme ka mbajtur takim me strukturat e AAK-së në Gjilan, ku edhe ka përshëndetur aderimet e shumë anëtarëve të rinjë në parti.

Haradinaj tha se ndjehet mirë që tashmë AAK-së po i bashkohen edhe shumë anëtarë të tjerë, jo vetëm nga partitë politike, që të vazhdojnë rrugëtimin së bashku.

Gjatë fjalës së tij, Haradinaj përmendi edhe njëherë sovranitetin e Kosovës dhe mbylljen e temës për ndryshimet e kufijve.

“Ka pasur shumë fjalë se unë nuk i kam punët mirë me të huajt, por ju e dini që pas takimeve që kam zhvilluar, jam kthyer me Ushtri. Arsyeja pse po e përmendi ushtrinë dhe vendimet e tjera është sepse ne duhet të sqarojmë çfarë duam para përfaqësuesve të huaj. Nëse ne nuk kundërshtojmë ndryshimet e kufijve, atëherë edhe të huajt do të jenë në dilema dhe do të mendojnë se nuk na intereson për një pjesë të veriut”, ka thënë Haradinaj, përcjell Ballkani.info.

Tutje, ai ka thënë se tashmë ‘Trepça’ është e Kosovës me ligj dhe në momentin e hyrjes në funksion, do t’i sjellë vendit mbi 500 milionë euro fitim.

Në fund, Haradinaj ka përsëritur edhe njëherë se ndryshimi i kufijve është i papranueshëm për qytetarët e Kosovës, duke thënë se ‘nuk ka me luajt me kufij’. /Ballkani.info

loading…