Kryeministri Haradinaj, pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur edhe për çështjen e lojrave të fatit.

Kryeministri ka thënë se egziston një koncept-dokument të cilin e ka prezantuar ministri i Financave, që është si burim i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit e cila është nënshkruar nga qeveria e kaluar dhe që parasheh disiplinimin e këtij tregu.

“Unë nuk jam për një situatë kaotike në këtë treg, por nuk dua që të pengohen shkollat apo fëmijët dhe jeta e qytetarëve. Ka shumë vende në botë që kanë gjetur zgjidhje dhe lojrat e fatit i kanë larguar jashtë qytetit, e pastaj kushdo që dëshironë të shkojë i hip veturës dhe shkon, por aty nuk janë fëmijët, nuk janë ‘fukaratë’ që i kanë 2 euro në gjep pasi që zakonisht aty shkojnë personat pasanikë”.

“Kosova nuk është kundër këtij tregu, pra nëse ato funksionojnë në Zvicër, Austri, Gjermani apo ku di unë, atëherë ne nuk do të bëhëmi më ‘papë se papa’. Pra qeveria ka interes për këtë treg por jo ta lejojë që të rritet pa kontrollë, por t’i largojë nga qyteti. Në këto vende nuk do të ketë fëmijë, apo qytetarë të zakonshëm pasi që lojrat e fatit nuk janë treg i të gjithëve”, ka thënë Haradinaj, raporton Ballkani.info.

Tutje, Haradinaj ka thënë se lojrat e fatit nuk i frekuentojnë qytetarët e thjeshtë, por zakonisht njerëzit e pasur.

“Aty nuk shkon një punëtorë i arsimit, pasi ai nuk ka para, apo ndonjë polic ose dikush me 300 euro rrogë. Unë kam jetuar personalisht në perëndim dhe në këto vende zakonisht shkojnë njerëzit pasanikë, ata që kanë shumë para dhe nuk dinë se çfarë të bëjnë”, ka përfunduar Haradinaj. /Ballkani.info